Nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit ndërmjet ANJF-së dhe Organizatës Joqeveritare JRS
Prishtinë
04/08/2026
Sot, më 4 gusht 2026, U.D. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Faton Jashari, dhe Menaxherja e Vendit e Organizatës Joqeveritare Jesuit Refugee Service (JRS), Orjana Shabani, nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike falas.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, JRS do të ofrojë ndihmë juridike falas për qytetarët që plotësojnë kriteret ligjore, me fokus të veçantë te personat me mbrojtje ndërkombëtare, personat e mbajtur në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj, personat e akomoduar në Qendrën e Pritjes së Përkohshme, si dhe personat e riatdhesuar. Shërbimet do të ofrohen nga zyra e JRS-së në Prishtinë dhe do të jenë të qasshme në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në zbatimin e Rregullores për Përcaktimin e Kritereve për Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas nga Organizatat Joqeveritare në Partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, duke kontribuar në transformimin dhe fuqizimin e sistemit të ndihmës juridike falas në Republikën e Kosovës.
Partneriteti me organizatat joqeveritare forcon misionin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për të garantuar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë, synohet ofrimi i shërbimeve juridike profesionale, cilësore, efikase dhe efektive, në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe standardet e një sistemi të drejtësisë të qasshëm për të gjithë.