Punëtoria e tretë për hartimin e Projektligjit për Ndihmë Juridike Falas
Prishtinë
29/01/2026
Më 28 Janar 2026, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) – Ministria e Drejtësisë, me mbështetjen e projektit të UNDP-së “Voices of Justice”, realizoi punëtorinë e tretë me radhë në kuadër të procesit për hartimin e Projektligjit të ri për Ndihmë Juridike Falas dhe mblodhi akterët kryesorë të përfshirë në këtë proces ligjvënës.
Punëtoria u hap nga znj. Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe kryesuese e grupit punues, e cila theksoi progresin e arritur deri më tani dhe rëndësinë e vazhdimit të një procesi gjithëpërfshirës dhe profesional. Fjalë rasti mbajti gjithashtu dhe z. Faton Jashari, U.D. Drejtor Ekzekutiv i ANJF-së. Diskutimet tematike dhe shqyrtimi i dispozitave ligjore u udhëhoqën nga eksperti i angazhuar, Prof. Dr. Visar Morina.
Gjatë punëtorisë u bë shqyrtimi i draftit të parë të Projektligjit për Ndihmë Juridike Falas, me fokus të veçantë në ndihmën juridike primare dhe sekondare, si dhe në përcaktimin e kategorive të veçanta të përfituesve të ndihmës juridike falas. Diskutimet u thelluan më tej në fushën e ndihmës juridike penale falas në rastet e mbrojtjes së detyrueshme (ex officio), si dhe në rolin e organizatave joqeveritare dhe klinikave juridike në ofrimin e ndihmës juridike.
Një pjesë e rëndësishme e punës iu kushtua edhe çështjeve financiare dhe procedurale, përfshirë donacionet, mbulimin e shpenzimeve të procedurave gjyqësore për përfituesit e ndihmës juridike falas, si dhe detyrimin për kthimin e shpenzimeve në raste të caktuara. Punëtoria u përmbyll me nxjerrjen e konkluzioneve dhe rekomandimeve konkrete për hapat e ardhshëm drejt finalizimit të projektligjit.
Ky proces synon të forcojë më tej kornizën ligjore dhe institucionale të sistemit të ndihmës juridike falas në Republikën e Kosovës, duke siguruar qasje më të drejtë dhe efektive në drejtësi për qytetarët, veçanërisht për grupet në nevojë. ANJF shpreh mirënjohje për kontributin e të gjithë anëtarëve të grupit punues, partnerëve institucionalë dhe UNDP-së për mbështetjen e vazhdueshme në këtë reformë të rëndësishme.