Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbron Raportin e Punës për vitin 2019 pranë Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit
Prishtinë
17/06/2020
Me datë 16.06.2020, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas znj. Anita Alaj-Kalanderi, e shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka paraqitur Raportin e Punës së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2019.
Gjatë prezantimit të raportit znj. Alaj-Kalanderi deklaroi se, gjatë vitit 2019 ndihmën juridike falas e kanë përfituar 5 mijë e 539 qytetarë, prej tyre mbi 90% e shërbimeve juridike falas është ofruar nga zyrtrët e Agjencisë, ndërsa rreth 8% të përfituesve i’u është angazhuar avokati për përfaqësim.
Në vazhdimësi znj. Alaj-Kalanderi informoj anëtarët e Komisionit se ndihma juridike falas ofrohet përmes shtatë zyrave rajonale për ndihmë juridike falas të cilat financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe 14 zyrave mobile për ndihmë juridike falas në 14 komuna, të mbështetura nga donator GIZ, projekt i cili përfundon me 30.06.2020.
Me qëllim të krijimit të qasjes së barabartë në drejtësi, znj. Alaj-Kalanderi kërkoi nga anëtarët e Komisionit që të përdorin kompetencat e tyre duke siguruar buxhetin e nevojshëm për funksionimin e 14 zyrave dhe sigurimin e shtrirjes edhe në 17 komuna të tjera ku Agjencia nuk ka zyra për ofrimin e ndihmës juridike falas.
Lidhur me sfidat e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, znj. Alaj-Kalanderi informoi antarët e Komisionit se Agjencia është përballur me mungesën e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas që nga viti 2018, mungesën e buxhetit për përmbushjen e obligimit ligjor ku si pasojë ka qenë e pamundër shtrirja në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, mungesën e pozitave të cilat i parasheh legjislacioni në fuqi dhe mungesinë e sigurimit të hapsirave të punës në objekte publike.
Pas një debati interaktiv, Kryetari i Komisionit u zotua që do ta përkrahë kërkesën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për mbështetje financiare.
Gjithashtu me shumicë votash Komisioni miratoi Raportin e Punës së Agjencisë për vitin 2019.