Sot me dt. 03.09.2022, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti bashkë me Ministren e Ministrisë së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu pritën në takim Drejtoren Ekzekutive të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, znj.Anita Alaj Kalanderi, me temë diskutimi ofrimi dhe sigurimi i qasjes së barabartë në drejtësi për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit u theksua roli i rëndësishëm i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët të cilët përballen me kushte të vështira ekonomike. U bisedua edhe për angazhimin shtesë të Agjencisë, që pas amendamentimit të Ligjit, nga fillimi i këtij viti, ofron ndihmë juridike falas edhe për viktimat e dhunës dhe për gazetarët të cilët pengohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Ndër të tjera u fol për sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo Agjenci dhe hapat e nevojshëm dhe angazhimin e përbashkët, për të pasur funksionim sa me të qëndrueshëm të Agjencisë, ngritje të cilësisë në rastet e ndihmës juridike, rritjen e fushatave informuese për njoftimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe shërbimet e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.