Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Vizita në zyrat për ndihmë juridike në Kosovë

Gjatë muajit shkurt dhe mars, përfaqësues të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe të Ambasadës Norvegjeze kanë vizituar të gjitha zyrat e ANJF-së të cilat përkrahën nga Ambasada Norvegjeze.

Ndihma juridike falas është shumë e rëndësishme në procesin e garantimit të qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës i ka dhënë ndihmës juridike falas statusin e një të drejte bazike të të drejtave të njeriut. Neni 31, paragrafi 6 thekson: “Ndihmë juridike falas do ti ofrohet të gjithë atyre të cilët kanë mungesë të mjeteve financiare, nëse asistenca është e nevojshme për të siguruar qasje efektive në drejtësi”.

Në gjithë Kosovën ekzistojnë trembëdhjetë zyre për ndihmë juridike falas. Ambasada e Norvegjisë mbështet Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas me një grant prej rreth 100.000 (njëqindmijë) euro për funksionimin e tetë zyrave anekënd Kosovës.

Ambasada Norvegjeze përkrah zyrat në: Ferizaj, Gjakovë, Dragash, Gragjanicë, Mitovicë veriore, Skenderaj, Klinë dhe Kllokot. Zyrtar ligjor me eksperiencë në fushën juridike ofrojnë ndihmë juridike falas për qytetarët në këto zyra. Për shembull, në Dragash zyra për ndihmë juridike falas ka qenë e hapur që nga viti 2010 dhe ka zgjidhur qindra raste në vit. Të gjithë zyrtaret ofrojnë ndihmë juridike falas në një fushë të gjerë të çështjeve juridike. Shumica e lëndëve lidhen me çështjet administrative dhe civile, e ku mbizotërojnë çështjet sociale dhe ato familjare.

Megjithatë, disa nga zyrat, si Ferizaj dhe Klina, kanë ofruar ndihmë për disa persona të përfshirë në çështje të vogla penale. Për shkak të mungesës së fondeve këto 8 zyre kanë pasur një pauzë shtatë mujore në ofrimin e shërbimeve të tyre gjatë vitit 2014. Edhe përkundër kësaj, disa nga zyrat kanë qëndruar hapur gjatë kësaj periode ku stafi ka punuar vullnetarisht në ofrimin e ndihmës juridike falas. Kjo përpjekje dhe punë humane është vlerësuar shumë nga Ambasada Norvegjeze dhe natyrisht edhe nga qytetarët që ju është mundësuar ndihmë juridike falas.

Për dy muaj e gjysmë sa veprojnë përsëri këto zyre kanë ofruar ndihmë juridike falas për më rreth 369 qytetarë. Qytetaret që u është ofruar kjo ndihmë juridike janë nga komunitete të ndryshme si: Shqiptar, Serb, Romë, Goran, Boshnjak dhe etnicitete tjera që kanë përfituar shërbime juridike falas nga zyrtarët për ndihmë juridike në këto zyra.

Në Dragash jo më pak se 30% e përfituesve të ndihmës juridike falas janë nga komuniteti goran, derisa në Kllokot, shumica e klientëve janë Serb. Shumica e lëndëve që zgjidhen në këto zyra kanë të bëjnë me çështje pensionale dhe persona me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu nga raportimet e zyrave vërejmë se banalci gjinor i personave që kërkojnë ndihmë juridike falas në këto zyra në mes meshkujve dhe femrave është thuajse i barabartë.

Në Mitrovicën Veriore shumica e klientëve përfitues të ndihmës juridike falas janë të gjinisë femërore, sepse shumë lëndë kanë të bëjnë me dhunën në familje. Në zyrën e Skenderaj shumica e lëndëve që janë zgjidhur kanë të bëjnë me çështjet e lidhura me pensionet. Në Gjakovë, shumica e lëndëve lidhen me çështjet familjare, dhe burrat dhe gratë janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në ketë komunë.

Në shumicën e zyrave, qytetaret janë kthyer për të falënderuar zyrtaret lidhur me shërbimet e marra nga ta për çështjet konkrete juridike. Kjo tregon se ndihma juridike falas është një shërbim shumë i rëndësishm, dhe të jep mundësinë të ndihmosh një pjesë të shoqërisë të cilët kanë shumë nevojë për asistencë juridike falas për shkak të kushteve të renda financiare.

Po ashtu, gjatë këtyre vizitave pamë se ka edhe shumë sfida që duhet zgjidhur. Mungesa e përkrahjes financiare për të ardhmen është shqetësimi më i madh i yni. Gjithashtu janë edhe disa sfida që lidhen me hapësirat e zyrave dhe informimin qytetar rreth sistemit të ndihmë juridike falas.

Gjatë këtyre vizitave, Ambasada ka ngritur çështjet që lidhen me kanunin dhe të drejtat e grave, mundësinë e aktivizimit të një klinike të lëvizshme dhe digjitalizimin e statuseve të gjykimeve. Të drejtat e grave janë shumë të rëndësishme në ketë aspekt, se sa grave u është mohuar e drejta në trashëgimi për shkak të traditës dhe trajtimit në familje!

Ambasada Norvegjeze fuqishëm beson se ndihma juridike falas do të ndihmoj shtresat më të dobëta dhe të margjinalizuara të shoqërisë, dhe synojmë që të punojmë së bashku me institucionet e Kosovës për të forcuar dhe përkrahur edhe në të ardhmen sistemin e ndihmës juridike falas në Kosovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors