Më 19 qershor 2025, në kuadër të Javës së Ndihmës Juridike Falas, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, organizoi në Suharekë një tryezë të rrumbullakët me temën: “Qasja në drejtësi përmes ndihmës juridike falas”.
Në këtë tryezë, znj. Flutura Berbati Zena, Drejtoreshë e Departamentit Ligjor në ANJF, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Zyrës Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Suharekë, institucioneve komunale dhe organizatave lokale për garantimin e qasjes në drejtësi për të gjithë. Ajo prezantoi misionin, fushëveprimin dhe kriteret ligjore për përfitimin e ndihmës juridike, si dhe shërbimet që ofron ANJF.
Znj. Mihrije Suka, Nënkryetare e Komunës së Suharekës, tregoi përkushtimin institucional për forcimin e të drejtave të qytetarëve dhe bashkëpunimin e ngushtë me ANJF-në dhe akterët e tjerë institucional si dhe organizatat e shoqërisë civile.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues nga: Komuna e Suharekës, Gjykata, Policia, Qendra për Punë Sociale, Shoqata e të Verbërve dhe OJQ-të tjera lokale. Ata ndanë praktikat dhe sfidat që qytetarët hasin në qasjen në drejtësi.
Diskutimet u fokusuan në mënyra konkrete për të rritur bashkëpunimin, për të tejkaluar sfidat në ofrimin e ndihmës juridike dhe për të promovuar më gjerësisht këtë të drejtë themelore në komunitet.
Kjo tryezë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ANJF për të ndërtuar një sistem gjithëpërfshirës dhe funksional të ndihmës juridike falas – në shërbim të barazisë, drejtësisë dhe përfshirjes sociale.