Me datë 16 Korrik 2025, znj.Fjorda Rexhepi Mujollar dhe z.Mihat Sylejmani, Zyrtarë të Lartë për Ndihmë Juridike në Divizionin Rajonal për Ndihmë Juridike Falas Prizren, kanë zhvilluar një vizitë – takim zyrtar me z. Ardi Koldashi në Qendren e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Kukës, Republika e Shqipërisë.
Qëllimi i takimit ishte krijimi dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve duke pasur parasysh afërsinë territoriale ndërmjet qyteteve si dhe avancimin e ofrimit të Ndihmës Juridike Falas për qytetarët e dy vendeve.
Në këtë takim u diskutua rreth legjislacioneve përkatëse të dy vendeve në fushën e ofrimit të Ndihmës Juridike Falas, kushtet për përfitim si dhe u shkëmbyen informata dhe përvoja lidhur me trajtimin e rasteve të ofrimit të Ndihmës Juridike për shtetasit e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt krijimit dhe forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve në nivel nacional.