Me datë 30 Korrik 2025, Faton Jashari, U.D. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe Kushtrim Kaloshi, Drejtor Ekzekutiv i Organizates Joqeveritare, Advocacy Training and Resource Center – ATRC, kanë nënshkruar marrëveshje për partneritetit për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike falas për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ATRC do të ofrojë ndihmë juridike falas për qytetarët që plotësojnë kriteret ligjore, me fokus të veçantë në gratë, të rinjtë, komunitetet jo-shumicë dhe personat në situata të pafavorshme socio-ekonomike. Shërbimet do të ofrohen nga zyra e ATRC në Prishtinë dhe do të jenë të qasshme në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Me nënshkrimin e Marrëveshjeve për Partneritet po jetësohet Rregullorja për Përcaktimin e Kritereve për Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas nga Organizatat Jo Qeveritare në Partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas në kuadër të transformimit të sistemit të ndihmës juridike falas.
Partneriteti me Organizatat Joqeveritare sjell një dimension të ri në misionin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët, jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime juridike profesionale, efikase dhe efektive për qytetarët tonë.