Më 21–22 Nëntor 2025, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) – Ministria e Drejtësisë, me mbështetjen e projektit të UNDP-së “Voices of Justice”, realizoi punëtorinë dyditore për hartimin e Projektligjit të ri për Ndihmë Juridike Falas.
Punëtoria u hap nga znj. Anita Alaj Kalanderi, Kryesuese e Grupit Punues dhe Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, e cila theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën për një kornizë moderne ligjore. Fjalën e morën gjithashtu z. Faton Jashari, U.D. Drejtor Ekzekutiv i ANJF, dhe z. Ardian Latifaj, Menaxher i projektit “Voices of Justice” – UNDP. Diskutimet tematike dhe procesi i analizës së dokumenteve u udhëhoqën nga eksperti i angazhuar, Prof. Dr. Visar Morina.
Punëtoria mblodhi së bashku anëtarët e grupit punues, ekspertë juridikë, përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile, të cilët kontribuuan në trajtimin e sfidave të ligjit aktual dhe në formulimin e rekomandimeve për përmirësim. Diskutimet u fokusuan në: sfidat në zbatimin e ligjit ekzistues, strukturën institucionale dhe harmonizimin me standardet evropiane, shqyrtimin e Draft-Koncept Dokumentit, kriteret e përfitimit dhe identifikimin e kategorive të cenueshme, modelet e financimit, sfidat buxhetore dhe hapat e mëtejshëm drejt finalizimit të projektligjit.
Ky projektligj synon të fuqizojë ANJF-në dhe mekanizmat institucionalë që garantojnë qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët, veçanërisht për grupet më të cenueshme. ANJF shpreh mirënjohje për kontributin e të gjithë pjesëmarrësve dhe partnerëve, veçanërisht Ministrisë së Drejtësisë dhe UNDP-së, për mbështetjen e vazhdueshme në përmirësimin e sistemit të ndihmës juridike në Republikën e Kosovës.