Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Valentina Zenullahu dhe znj. Nora Dobruna, Zyrtare të Larta për Ndihmë Juridike Falas nga Zyra Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Gjakovë, realizuan një vizitë në Shtëpinë e Sigurtë në Gjakovë, ku u takuan me drejtoreshën e këtij institucioni, znj. Erblina Dinarama.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e ofrimit të ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe kategoritë e tjera të cenueshme, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin dhe referimin e rasteve që kanë nevojë për mbështetje juridike.
Përfaqësueset e ANJF-së prezantuan shërbimet që ofron Agjencia, procedurat për përfitimin e ndihmës juridike falas dhe rëndësinë e informimit të qytetarëve mbi të drejtat e tyre dhe mekanizmat në dispozicion për qasje në drejtësi.
Drejtoresha e Shtëpisë së Sigurtë në Gjakovë, znj. Erblina Dinarama, vlerësoi bashkëpunimin me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të viktimave të dhunës dhe personave në nevojë.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në forcimin e partneritetit me institucionet dhe organizatat relevante, me qëllim të garantimit të qasjes së barabartë në drejtësi dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.