Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, z. Rasim Imeri, Zyrtar i Lartë për Ndihmë Juridike nga Zyra Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Drenas, zhvilloi një takim zyrtar me znj. Teuta Morina, Drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale në Drenas.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e rritjes së qasjes në drejtësi për qytetarët që nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet juridike, si dhe për rolin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) në ofrimin e shërbimeve juridike për qytetarët në nevojë.
Po ashtu, u prezantuan llojet e rasteve që trajton ANJF dhe parimet profesionale mbi të cilat mbështetet puna e saj.
Znj. Morina vlerësoi punën dhe angazhimin e Agjencisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Ajo shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm, me fokus të veçantë në mbështetjen e kategorive të cenueshme të shoqërisë, përfshirë personat në nevojë sociale, viktimat e dhunës, të moshuarit dhe fëmijët pa përkujdesje prindëror.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet relevante, me qëllim të garantimit të qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.