Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Selvije Gashi, zyrtare e lartë për ndihmë juridike në Zyrën Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Suharekë, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave lokale.
Në takimet e realizuara me nënkryetaren e Komunës së Suharekës znj. Arta Gashi, drejtoreshën e organizatës Hendikos znj. Zana Gashi, si dhe me përfaqësuesit e shërbimeve sociale dhe mirëqenies sociale z. Denis Sofra dhe znj. Mirlinda Spahia Kolgeci, është theksuar roli dhe rëndësia e shërbimeve të ndihmës juridike falas që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua për promovimin e shërbimeve juridike falas dhe rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për të drejtat e tyre ligjore, si dhe për mundësitë që ofron ANJF për qasje të barabartë në drejtësi. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat lokale në mënyrë që informacioni për ndihmën juridike falas të arrijë tek sa më shumë qytetarë, veçanërisht tek kategoritë në nevojë.
Këto aktivitete kontribuojnë drejtpërdrejt në fuqizimin e qasjes në drejtësi dhe në rritjen e besimit të qytetarëve në shërbimet e ndihmës juridike falas.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në promovimin dhe ofrimin e shërbimeve juridike falas për të gjithë qytetarët.