Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Zana Bikliqi, Zyrtare e Lartë për Ndihmë Juridike Falas në Zyrën Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Lipjan, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Stacionit Policor në Lipjan – Njësiti i Dhunës në Familje.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe në garantimin e qasjes në drejtësi për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje juridike.
Bashkëpunimi ndërmjet Zyrës Mobile të ANJF-së në Lipjan dhe Stacionit Policor në Lipjan është një bashkëpunim i vazhdueshëm dhe i suksesshëm, i cili ka kontribuar në identifikimin, referimin dhe mbështetjen e shumë qytetarëve, me theks të veçantë të viktimave të dhunës në familje.
Në përmbyllje të takimit, palët shprehën mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm dhe u zotuan për forcimin e mëtejmë të komunikimit dhe koordinimit institucional, me qëllim të përbashkët lehtësimin e qasjes në drejtësi, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.