Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, z. Taulant Nikqi, zyrtar i lartë për ndihmë juridike në Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Pejë, ka zhvilluar takim me z. Demë Hasanaj, Mbrojtës i Viktimave të Dhunës në Familje për Rajonin e Pejës.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e qasjes së viktimave në shërbime juridike profesionale, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe fuqizimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë qasje efektive në drejtësi.
Po ashtu, u theksua rëndësia e informimit të qytetarëve, e në veçanti e viktimave të dhunës në familje, lidhur me të drejtat që u garantohen me legjislacionin në fuqi dhe mundësitë për të përfituar nga shërbimet e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas. U vlerësua se informimi i drejtë dhe në kohë është një nga faktorët më të rëndësishëm që u mundëson viktimave të kërkojnë mbrojtje, të realizojnë të drejtat e tyre dhe të kenë qasje të barabartë në institucionet e drejtësisë.
Në këtë drejtim, u nënvizua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional ndërmjet Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, mbrojtësve të viktimave dhe mekanizmave të tjerë mbështetës, me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe gjithëpërfshirëse.
Gjatë takimit u ritheksua se viktimat e dhunës në familje gëzojnë të drejtën për mbrojtje juridike dhe institucionale, ndërsa Agjencia për Ndihmë Juridike Falas luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e ndihmës juridike për personat që plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e këtyre shërbimeve.
Përmes aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, Agjencia synon të rrisë vetëdijesimin e qytetarëve për të drejtat e tyre, të afrojë shërbimet juridike me komunitetin dhe të forcojë bashkëpunimin me institucionet relevante, me qëllim garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të ofruar mbështetje juridike cilësore, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi drejtësie të qasshëm, të drejtë dhe gjithëpërfshirës për secilin qytetar.