Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Liri Kqiku dhe z. Kastriot Sylejmani, zyrtarë të lartë për ndihmë juridike në Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Ferizaj, kanë realizuar takim me përfaqësues të Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj.
Takimi u zhvillua me qëllim të forcimit të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Mbrojtësit të Viktimave dhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në funksion të ofrimit të mbështetjes sa më të shpejtë dhe efektive për viktimat e krimit.
Gjatë takimit, fokus i veçantë iu kushtua krijimit të mekanizmave më efikas për referimin e rasteve dhe ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat, me theks të veçantë tek viktimat e dhunës në familje, të cilat gëzojnë të drejtën ligjore për trajtim prioritar dhe qasje të menjëhershme në shërbimet e ndihmës juridike falas.
Po ashtu, u diskutua për rëndësinë e informimit të viktimave lidhur me të drejtat e tyre ligjore dhe mundësitë që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, me qëllim që secila viktimë të ketë qasje të plotë në mbrojtje dhe drejtësi.
Përmes aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, Agjencia vazhdon të forcojë bashkëpunimin me institucionet relevante për të siguruar qasje sa më efektive në drejtësi dhe mbrojtje të të drejtave për të gjithë qytetarët, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.