Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Fjorda Mujollar, zyrtare e lartë për ndihmë juridike në Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Prizren, ka realizuar një takim me z. Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Ramadan Koro, udhëheqës i Departamentit të Përgjithshëm, dhe z. Shpend Binaj, prokuror për të mitur.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e qasjes së qytetarëve në drejtësi në çështjet penale, rolin e ndihmës juridike falas në mbrojtjen e të drejtave të palëve në procedura penale, si dhe rëndësinë e informimit të qytetarëve për shërbimet juridike që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.
Po ashtu, u theksua nevoja për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të sistemit të drejtësisë, me qëllim që qytetarët, veçanërisht kategoritë më të ndjeshme, të kenë qasje sa më të lehtë në këshillim juridik, përfaqësim dhe mbrojtje të të drejtave të tyre sipas legjislacionit në fuqi.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua informimit të qytetarëve për të drejtat e tyre në rastet penale, si dhe promovimit të shërbimeve të ndihmës juridike falas si një mekanizëm i rëndësishëm për garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi.
Takimi shërbeu për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në funksion të avancimit të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe rritjes së vetëdijesimit për mundësitë që ofron ndihma juridike falas.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në promovimin e të drejtave të qytetarëve dhe në forcimin e partneriteteve me institucionet e drejtësisë, me qëllim ofrimin e shërbimeve juridike sa më efikase dhe të qasshme për të gjithë.