Në kuadër të vizitës së saj në Komunën e Mitrovicës, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, znj. Donika Gërvalla, vizitoi Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Mitrovicë, ku u njoftua nga afër me punën, shërbimet dhe angazhimin e stafit në ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët.
Gjatë vizitës, u diskutua për rëndësinë e qasjes së barabartë në drejtësi, rolin e ndihmës juridike falas në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, si dhe sfidat dhe nevojat në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Ministrja Gërvalla theksoi se besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërtohet përmes punës së përditshme dhe përkushtimit të institucioneve që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke vlerësuar rolin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në garantimin e qasjes në drejtësi për të gjithë.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve juridike cilësore dhe në avancimin e qasjes së qytetarëve në drejtësi, në përputhje me misionin e saj dhe standardet më të larta profesionale.