Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Hajrije Kutllovci dhe znj. Bleona Asllani, zyrtare të larta për ndihmë juridike në Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Mitrovicë, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve relevante në nivel lokal.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve janë realizuar takime me z. Mensur Beqiri, Drejtor i Administratës Pensionale në Mitrovicë, si dhe me z. Isa Aruqi, Udhëheqës i Zyrës Rajonale për Mbrojtjen e Viktimave në Mitrovicë.
Gjatë takimeve u diskutua për rëndësinë e informimit të qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre ligjore dhe shërbimet që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, me fokus të veçantë në çështjet që lidhen me realizimin e të drejtave pensionale dhe mbështetjen juridike për viktimat e krimit dhe dhunës në familje.
Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në orientimin dhe referimin e qytetarëve drejt shërbimeve përkatëse, me qëllim që ata të kenë qasje sa më të lehtë dhe efektive në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Takimet shërbyen për shkëmbimin e informacioneve dhe forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve, duke kontribuar në promovimin e shërbimeve të ndihmës juridike falas dhe rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për mundësitë që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet partnere, me qëllim garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët.