Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors

ANJF në eventin përmbyllës të projektit PIAKOS “Bëje tënden – Regjistroje Pronën”

Më 13 tetor 2026, U.D. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), z. Faton Jashari, mbajti fjalim në eventin përmbyllës të projektit PIAKOS “Bëje tënden – Regjistroje Pronën”, të organizatës partnere ATRC.

Në fjalimin e tij, z. Jashari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave për të siguruar që qasja në drejtësi të jetë një mundësi reale për çdo qytetar, pavarësisht gjendjes ekonomike, vendbanimit apo përkatësisë së tij.

Ai vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet ANJF-së dhe ATRC-së, me mbështetjen e Bankës Botërore, përmes të cilit, gjatë periudhës shtator 2024 – qershor 2026, u mundësua afrimi i shërbimeve të ndihmës juridike falas te qytetarët në komunat Obiliq, Fushë Kosovë, Mamushë dhe Graçanicë, përmes mbështetjes së Zyres Mobile Lëvizëse. Ky bashkëpunim kontribuoi në lehtësimin e qasjes së qytetarëve në këshillim juridik, përpilimin e shkresave dhe përfaqësimin ligjor, si dhe në rritjen e informimit për të drejtat e tyre dhe mundësitë e përfitimit të ndihmës juridike falas.

Një rëndësi të veçantë ka edhe vazhdimësia e këtij partneriteti. Përmes Marrëveshjes së Partneritetit të nënshkruar më 30 korrik 2025, ATRC u bë pjesë e rrjetit të organizatave të autorizuara për ofrimin e ndihmës juridike falas.

Në përmbyllje, z. Jashari shprehu mirënjohjen për Bankën Botërore, ATRC-në, institucionet partnere, autoritetet lokale dhe stafin e ANJF-së për kontributin e tyre, duke theksuar se përfundimi i projektit nuk nënkupton përfundimin e bashkëpunimit, por krijon bazë për iniciativa të reja në shërbim të qytetarëve.

ANJF mbetet e përkushtuar që ndihma juridike falas të jetë më e afërt, më e qasshme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët.

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors