Sot, më 17 qershor 2025, përfaqësues nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, në bashkëpunim me Organizaten partnere, Programi për të Drejtat Civile Kosovë – CRP/K, realizuan një vizitë në Qendrën për Azil në Magurë, si pjesë e aktiviteteve informuese dhe avokuese të kësaj jave.
Pritja u bë nga udhëheqësi i qendrës, z. Fitim Zariqi dhe zyrtarja ligjore e angazhuar nga CRP/K, znj. Teuta Pireva me të cilët u zhvillua një diskutim i frytshëm mbi ofrimin e ndihmës juridike falas për azilkërkuesit në Kosovë, sfidat e tyre ligjore, si dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërinstitucional.
Z. Zariqi ndau informata të detajuara rreth:
Procedurave për paraqitjen e kërkesës për azil
Procesit të regjistrimit dhe qëndrimit në qendër
Kushteve dhe shërbimeve që u ofrohen azilkërkuesve
Kjo vizitë u organizua në kuadër të angazhimit të përbashkët për të garantuar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë, pa dallim statusi.