Më 18 Qershor 2025, në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, organizoi në qytetin e Ferizajt tryezën e rrumbullakët me temën: “Qasja në drejtësi nëpërmjet Ndihmës Juridike Falas”.
Znj. Flutura Berbati Zena, Drejtoreshë e Departamentit Ligjor në ANJF, prezantoi para të pranishmëve misionin e agjencisë dhe fushëveprimin e saj, duke theksuar kriteret ligjore për përfitimin e ndihmës juridike falas, kategoritë përfituese, rastet që trajtohen dhe format e mbështetjes që ofron ANJF përmes Zyrës Rajonale në Ferizaj. Ajo gjithashtu potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve për të garantuar drejtësi për të gjithë.
Z. Mustafë Tahiri, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, ishte i pranishëm si panelist dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të gjyqësorit për bashkëpunim me ANJF-në dhe institucionet e tjera relevante, në funksion të forcimit të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe promovimit të drejtësisë si një vlerë themelore demokratike.
Tryeza mblodhi rreth vetes përfaqësues nga Komuna e Ferizajt, Zyra për Komunitete dhe Kthim, Stacioni Policor, Qendra për Punë Sociale, Zyra e Mbrojtësit të Viktimave, Strehimorja, si dhe përfaqësues të OJQ-ve lokale, të cilët ndanë përvojat e tyre praktike dhe shqetësimet për pengesat që hasin qytetarët në qasjen në drejtësi.
Diskutimet u fokusuan në mënyra konkrete për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, për të tejkaluar sfidat praktike në ofrimin e ndihmës juridike dhe për të promovuar më fuqishëm këto shërbime në komunitet.
Përmes organizimit të tryezave të tilla, ANJF synon jo vetëm ngritjen e kapaciteteve institucionale, por edhe ndërtimin e një sistemi më gjithëpërfshirës, më të drejtë dhe më efektiv të ndihmës juridike falas – një sistem që reflekton parimet e barazisë, qasjes në drejtësi dhe përfshirjes sociale.