Në kuadër të Javës për Ndihmë Juridike Falas, sot më 17 Qershor 2025 u realizua me sukses një aktivitet vetëdijësues në Fakultetin Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, i organizuar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) në bashkëpunim me Fakultetin Juridik dhe me përkrahjen e GIZ-it Gjerman.
Ky aktivitet kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për të drejtën e qasjes në drejtësi përmes ndihmës juridike falas, një shërbim i rëndësishëm për shumë qytetarë që nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet për shërbime juridike.
Gjatë aktivitetit, studentët e Fakultetit Juridik së bashku me zyrtarët e Zyrës Rajonale për Ndihmë Juridike Falas – Prizren:
Shpërndanë fletëpalosje informuese pranë Fakultetit Juridik;
Ndërvepruan me studentët dhe qytetarët për t’i informuar mbi të drejtën për ndihmë juridike falas, kriteret për përfitim dhe procedurat për aplikim;
Ndihmuan në krijimin e një atmosfere bashkëpunuese midis institucioneve, studentëve dhe komunitetit lokal.
Aktivitetit iu bashkëangjiten edhe Prof. asoc. Dr. Mentor Alishani – Rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Prof. ass. Dr. Muharrem Faiku – Dekan në Fakultetin Juridik, të cilët i përgëzuan studentët për aktivitetin dhe bashkëpunimin me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.
Ky bashkëpunim i frytshëm ndërmjet institucioneve shtetërore, studentëve dhe organizatave ndërkombëtare si GIZ është një shembull i mirëfilltë i përkushtimit të përbashkët për të avancuar të drejtat e njeriut dhe për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata në nevojë.
Një falënderim i veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, studentët e përkushtuar dhe stafin profesional që kontribuan në realizimin e këtij aktiviteti me impakt pozitiv në komunitet!
Për më shumë informata rreth shërbimeve të ndihmës juridike falas, ju ftojmë të vizitoni faqen tonë zyrtare: www.anjf-rks.org ose të telefononi në numrin pa pagesë: 0800 11 777.