Me datë 29 Mars 2024, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka nënshkruar marrëveshjet për partneritetit me Organizatat Joqeveritare me qëllim sigurimin e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
znj. Flutura Berbati Zena, UD Drejtore Ekzekutive – ANJF, hapi takimin duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe theksoi se “ky moment është i rëndësishëm në historinë e sistemit të ndihmës juridike falas në vendin tonë dhe se për të arritur këtë moment përpjekjet tona të përbashkëta kanë filluar qysh në vitin 2015, por fal kontributit të të gjithëve, sot, po nënshkruajmë Marrëveshjet e Partneritetit për ofrimin e ndihmës juridike falas nga organizatat e shoqërisë civile duke mbuluar hendekun që na ka përcjell ndër vite”.
Poashtu theksoi se “ky partneritet do të sjell një dimension të ri në misionin tonë për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë dhe nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët, jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime profesionale, efikase dhe efektive për qytetarët tonë. Sot është vetëm fillimi i kësaj nisme dhe së bashku me me punën tonë, do të arrijmë t’i evitojmë të gjitha mangësitë dhe të bëjmë ndryshime pozitive në sistemin e ndihmës juridike në Kosovë duke realizuar misionin që e kemi”.
E pranishme në këtë ceremoni ishte Ministrja Albulena Haxhiu e cila në fjalën e saj theksoi se “partneriteti mes ANJF-së dhe organizatave joqeveritare i mundëson Ministrisë së Drejtësisë të zgjerojë shtrirjen e shërbimeve të ndihmës juridike falas në zonat më rurale dhe tek shtresat më të margjinalizuara të vendit. Me nënshkrimin e këtyre Marrëveshjeve për Partneritet po jetësohet Rregullorja për Përcaktimin e Kritereve për Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas nga Organizatat Jo Qeveritare në Partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas e cila ishte nismë e Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të transformimit të sistemit të ndihmës juridike falas.
Ministrja Haxhiu shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për punën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas por edhe për bashkëpunëtorët të cilët me angazhimin e tyre po i kontribuojnë qasjes në drejtësi.
Kjo ceremoni e nënshkrimit të marrëveshjeve për partneritet mes ANJF-së dhe OJQ-ve u realizua me përkrahjen e USAID – Projekti i Drejtësisë.