Sot, më 10 shkurt 2026, kolegu ynë i çmuar, z. Sadulla Salihu, pas më shumë se dy dekadash përkushtimi dhe shërbimi ndaj drejtësisë dhe qytetarëve, doli në pension. Me këtë rast, z. Faton Jashari, U.D Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) i ndau një mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.
Gjatë angazhimit të tij në Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Gjilan, si përgjegjës i zyrës, ai la gjurmë të pashlyeshme në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe në forcimin e besimit të tyre në drejtësi. Që nga viti 2007, z. Salihu ishte një nga zyrtarët më me përvojë të ANJF-së, i njohur për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve që përballeshin me probleme juridike dhe kishin nevojë për ndihmë juridike falas. Me aftësi të veçanta komunikuese, empati dhe respekt ndaj çdo individi, ai u bë adresa e parë për shumë qytetarë të Gjilanit.
Siç shprehej vetë z. Salihu: “Kjo punë për mua është më shumë se një profesion. Është një mision për të ndihmuar ata që janë në nevojë dhe për ta ushtruar profesionin ligjor me integritet dhe përkushtim”.
Përveç punës së drejtpërdrejtë me palët, ai dha një kontribut të çmuar edhe në mbështetjen e zyrtarëve tjerë, kolegëve dhe praktikantëve, duke i frymëzuar ata në zhvillimin e tyre profesional. ANJF shpreh falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për z. Salihu, duke e vlerësuar atë si një shembull unik të një zyrtari që me përkushtim, zell dhe profesionalizëm ka dëshmuar se rezultatet e mira arrihen përmes punës së ndershme dhe integritetit të lartë moral e profesional.
Edhe pse sot z. Sadulla Salihu pensionohet, kontributi, përvoja dhe shpirti i tij i palodhur në shërbim të drejtësisë nuk do të pensionohen kurrë. I gjithë stafi i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas e falënderon për korrektësinë, bashkëpunimin dhe kolegialitetin e treguar ndër vite, duke i uruar shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe pensionim të mbarë pranë familjes së tij.