Përfaqësues të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas po marrin pjesë në një sërë sesionesh informuese që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për efektet e dëmshme të martesave të hershme dhe rëndësinë e vazhdimit të arsimit dhe fuqizimit ekonomik për fëmijët në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Zyrtarët nga Zyrat Rajonale dhe Mobile të ANJF-së po kontribuojnë në këto sesione duke ofruar informata të rëndësishme mbi shërbimet e Ndihmës Juridike Falas dhe pasojat ligjore që lidhen me martesat e hershme. Në këto takime, ekspertë të psikologjisë po trajtojnë aspektet psikosociale të kësaj dukurie, me qëllim uljen e ndikimeve socio-ekonomike në të ardhmen e fëmijëve. Po ashtu, prindërit po marrin pjesë aktive në dialog të hapur rreth sfidave dhe pasojave që sjellin martesat e hershme.
Deri tani janë realizuar gjashtë sesione informuese në komunat: Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Pejë, Lipjan dhe Fushë Kosovë, ndërsa pritet që aktivitete të tjera të vazhdojnë edhe në komunat e tjera të vendit.
Kjo nismë po zbatohet në bashkëpunim me Grupin Punues Ndërinstitucional për Parandalimin dhe Raportimin e Martesave të Hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, nën koordinimin e Zyrës së Kryeministrit dhe me mbështetjen e GIZ-it gjerman.