Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, Zyra Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Ferizaj organizoi aktivitetin “Dita e Ndërgjegjësimit Ligjor për të Rinjtë”, në bashkëpunim me QMGF “Shtëpia Ime” – Ferizaj dhe Stacionin Policor në Ferizaj, me mbështetjen e GIZ. Aktiviteti u mbajt në Qendrën e Kulturës në Ferizaj.
Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e vetëdijesimit të të rinjve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, si dhe informimin e tyre lidhur me shërbimet që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe mekanizmat institucionalë në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u informuan për rëndësinë e qasjes në drejtësi, parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave, si dhe për mundësitë e përfitimit nga ndihma juridike falas. Të rinjtë patën mundësinë të bashkëbisedojnë me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse, duke adresuar pyetje dhe çështje që lidhen me të drejtat e tyre ligjore.
Përmes aktiviteteve të tilla, synohet fuqizimi i të rinjve me njohuri juridike, promovimi i kulturës së respektimit të ligjit dhe rritja e ndërgjegjesimit për rëndësinë e kërkimit të ndihmës dhe mbështetjes institucionale kur është e nevojshme.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në afrimin e shërbimeve juridike tek qytetarët dhe në zhvillimin e aktiviteteve edukative që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar dhe me qasje të barabartë në drejtësi.