Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Konferenca “Të bashkuar për qasje në drejtësi për të gjithë” shënoi hapjen e Javës së Ndihmës Juridike Falas 2026

Prishtinë, 15 qershor 2026 – Në kuadër të Javës së Ndihmës Juridike Falas, sot u realizua Konferenca “Të bashkuar për qasje në drejtësi për të gjithë”, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë – Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), në bashkëpunim me organizatat partnere dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Konferenca u hap nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla Schwarz, nën sloganin “Mbroje të drejtën tënde”. Në fjalën e saj, ajo theksoi rëndësinë e qasjes së barabartë në drejtësi dhe rolin e ndihmës juridike falas në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Më pas, të pranishmëve iu drejtua z. Faton Jashari, U.D. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, i cili foli për rëndësinë e qasjes në drejtësi dhe për aktivitetet që do të zhvillohen gjatë Javës së Ndihmës Juridike Falas. Ai theksoi se kjo javë synon të rrisë vetëdijesimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe për shërbimet e ndihmës juridike falas që ofrohen në Kosovë.

Në emër të Misionit të OSBE-së në Kosovë, fjalë rasti mbajti znj. Tamar Khidasheli, Zëvendësdrejtoreshë e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete, e cila ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e qasjes efektive në drejtësi për të gjithë qytetarët.

Në kuadër të konferencës u zhvillua paneli për prezantimin e punës dhe rezultateve të arritura në ofrimin e ndihmës juridike falas gjatë vitit 2025, i cili mblodhi përfaqësues të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe organizatave partnere ofruese të ndihmes juridike falas, përkatësisht: Flutura Berbati Zena (ANJF), Arrita Rezniqi (IKD), Fisnik Mehmeti (QKRMT), Memli Ymeri (CRP/K), Agron Beka (SHPRK), Anton Nrecaj (CLARD), Lirika Bakija (ATRC) dhe Sami Canaj (AT). Panelistët prezantuan aktivitetet, sfidat dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2025 në mbështetje të qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë juridike falas, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në sigurimin e qasjes së barabartë në drejtësi.

Konferenca përfundoi me një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë mbi sfidat, nevojat dhe mundësitë për avancimin e mëtejmë të sistemit të ndihmës juridike falas në Kosovë.

Java e Ndihmës Juridike Falas do të vazhdojë deri më 19 qershor 2026 me aktivitete të shumta informuese dhe ndërgjegjësuese në të gjithë vendin, me qëllim promovimin e të drejtës së qytetarëve për qasje në drejtësi dhe informimin e tyre për shërbimet që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors