Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, z. Agron Kastrati, Zyrtar i Lartë për Ndihmë Juridike nga Zyrat Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Malishevë dhe Rahovec, ka zhvilluar gjatë kësaj jave një sërë takimesh me përfaqësues institucionalë në komunat e Malishevës dhe Rahovecit.
Në Komunën e Malishevës u mbajtën takime me përfaqësuesen e Zyrës së Kryetarit të Komunës, Zyrtaren për Barazi Gjinore dhe të Drejtat e Njeriut, përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe të Zyrës së Pensioneve, ndërsa në Komunën e Rahovecit u zhvillua takim me përfaqësues të Zyrës së Tatimit në Pronë.
Gjatë takimeve u diskutua për rëndësinë e rritjes së qasjes në drejtësi për qytetarët që nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet juridike, si dhe për rolin e Zyrës për Ndihmë Juridike Falas në Malishevë dhe Rahovec në ofrimin e shërbimeve juridike falas në fushat penale, civile, administrative dhe kundërvajtëse.
Bashkëbiseduesit vlerësuan punën dhe angazhimin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Po ashtu, u shpreh gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në mbështetjen e kategorive të cenueshme, përfshirë familjet me gjendje të rënduar sociale, viktimat e dhunës, të moshuarit dhe grupet e tjera në nevojë.
Zyra për Ndihmë Juridike Falas në Malishevë dhe Rahovec mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet relevante lokale, me qëllim të garantimit të qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.