Me datë 29 Janar 2024, Faton Jashari, U.D. Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, mori pjesë në panelin e diskutimit të organizuar nga GIZ mbi Qeverisjen e mirë dhe Sundimin e Ligjit, ku diskutoi mbi arritjet kryesore të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, reformat ligjore, shtrirjen e ndihmës juridike falas edhe në nëntë komuna të reja dhe se si digjitalizimi lehtëson procedurat në ofrimin e ndihmës juridike. Po ashtu, foli edhe për sfidat si dhe nevojat e ANJF-së për përkrahjen e donatorëve gjatë viteve të ardhshme.
Njëherit, z.Jashari, vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë GIZ-in, në fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe digjitalizimin e sistemit të ndihmës juridike falas, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas.
Të pranishëm në këtë debat ishin edhe David Oberhuber – Drejtor i GIZ Kosovë, Vigan Qorrolli – zv. Ministër i Drejtësisë, Astrit Hoti nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dhe Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL.