Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Fjorda Mujollar, Zyrtare e Lartë për Ndihmë Juridike Falas në Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Prizren, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave: znj. Shemsije Sagdati, përgjegjëse e Mbrojtësve të Viktimave, si dhe z. Ali Ahmeti dhe znj. Ganimete Kitmir, zyrtarë për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave.
Fokus i veçantë i takimit ishte ofrimi i ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe rëndësia e koordinimit institucional për t’u siguruar që viktimat të kenë qasje të shpejtë dhe efektive në shërbimet juridike që u garantohen me ligj.
Gjatë takimit u diskutuan mekanizmat e referimit të rasteve, mënyrat e fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe nevoja për informimin e vazhdueshëm të viktimave mbi të drejtat dhe mbështetjen juridike në dispozicion.
Zyrtarët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe u dakorduan që përmes koordinimit dhe komunikimit të vazhdueshëm të rritet mbështetja për viktimat e dhunës në familje, duke siguruar që ato të marrin mbrojtjen dhe ndihmën juridike të nevojshme në kohën e duhur.
Mbrojtja e të drejtave të viktimave dhe garantimi i qasjes së tyre në drejtësi mbetet një prioritet i përbashkët i institucioneve, në funksion të ndërtimit të një sistemi më të qasshëm dhe më efektiv të mbështetjes për kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.