Më 23 nëntor 2026, në Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, u mbajt punëtoria me temën “Mbështetja e studentëve të Fakultetit Juridik në fushën e etikës profesionale dhe menaxhimit të rasteve në kuadër të Ndihmës Juridike Falas”, i organizuar nga bashkëpunimi mes Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) dhe Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” me mbeshtetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Në këtë aktivitet, z. Qëndrim Gashi, Udhëheqës i Divizionit për Legjislacion dhe z. Taulant Nikqi – Zyrtar i lartë për Ndihmë Juridike nga Zyra Rajonale për Ndihmë Juridike Falas Pejë, mbajten një ligjëratë për studentët, gjatë së cilës prezantuan rolin dhe mandatin e Agjencisë, shërbimet që ofrohen, mënyrën e realizimit të tyre, si dhe rëndësinë e etikës dhe përgjegjësisë profesionale gjatë trajtimit të rasteve.
Aktiviteti kishte për qëllim që studentëve t’u ofrojë njohuri më të afërta me praktikën profesionale, duke i njoftuar me përgjegjësitë që lidhen me ofrimin e ndihmës juridike dhe rëndësinë e qasjes në drejtësi.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe fakulteteve juridike është i rëndësishëm për lidhjen e
njohurive akademike me praktikën, si dhe për përgatitjen e juristëve të rinj, të vetëdijshëm për
rolin dhe përgjegjësinë e tyre në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
ANJF falënderon Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Misionin e OSBE-së në
Kosovë për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij aktiviteti.





