Sot me datë 08 Nëntor 2024, me rastin e themelimit të Zyres Mobile për Ndihmë Juridike Falas Shtime, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas në bashkëpunim me GIZ-in gjerman ka organizuar Tryezë të rrumbullakët me akterët komunal dhe OJQ-të në Komunen e Shtimes.
Këtë tryezë e hapi z. Faton Jashari, U.D. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas i cili theksoi rëndësinë shtrirjes së ndihmës juridike falas edhe në komunen e Shtimes si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Zyres Mobile për Ndihmë Juridike Falas Shtime, akterëve komunal dhe organizatave jo qeveritare në nivel lokal me qëllim të sigurimit të qasjes në drejtësi për të gjithë.
Gjatë kësaj tryeze i pranishëm ishte edhe z. Faruk Beqa, Nënkryetar i Komunës së Shtimes i cili e ka cilësuar të nevojshme këtë veprimtari dhe është zotuar se do të përkrahë Zyren Mobile për Ndihmë Juridike Falas Shtime nëpërmjet së cilës qytetaret e komunës kanë mundësi për të realizuar të drejtat e tyre dhe kanë qasje të barabartë në drejtësi sikurse edhe qytetet tjera të Republikës së Kosovës.
Komuna e Shtimes ka siguruar hapësirat e punës për Zyren Mobile për Ndihmë Juridike Falas Shtime dhe në vazhdimësi ka mbështetur funksionimin e kësaj zyre.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues nga Komuna e Shtimes, Stacioni Policor, Institucioni i Avokatit të Popullit, Qendra për Punë Sociale, Mbrojtësi i viktimave, Zyra për punësim etj. si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare lokale.
Zyra Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Shtime, gjendet në objektin e Komunës, kati 3, Zyra nr. 45. Orari i punës: E enjte – E premte, duke filluar nga ora 8:00 deri 16:00. Telefono në: 046 127 077 ose kontaktoni në email adresën: info.anjf@rks-gov.net.
Ky aktivitet është mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes @GIZ Kosovo.