Me datë 14 dhe 15 Nëntor 2025, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka realizuar me sukses trajnimin dyditor “Diskriminimi dhe mekanizmat ligjor për parandalimin e tij”, i udhëhequr nga z. Rafet Haxhaj. Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Zyreve Rajonale dhe Mobile për Ndihmë Juridike Falas të ANJF-së, ky trajnim ka ofruar një qasje të thelluar profesionale mbi parimet, kuadrin ligjor dhe praktikat gjyqësore që lidhen me mbrojtjen nga diskriminimi.
Gjatë trajnimit u trajtuan këto tema kryesore: Nocioni, format dhe shkaqet e diskriminimit, Kuadri ligjor dhe institucional për luftimin e tij, Roli i institucioneve: Ndihma Juridike Falas, Avokati i Popullit, njësitë qeveritare dhe organet e drejtësisë, Praktika e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ dhe GJEDNJ), Identifikimi i rasteve përmes punës praktike në grup. Ndërsa dita e dytë u fokusua në: Mbrojtjen nga diskriminimi në punë dhe procedurat përkatëse, Standardet ligjore për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Jurisprudencën europiane në këtë fushë, Anti-gjipsizmin dhe sfidat që prekin komunitetet RAE.
Në përmbyllje, pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikatat, duke konfirmuar angazhimin e tyre që gjatë ofrimit të ndihmës juridike falas të zbatojnë praktikat profesionale për identifikimin dhe adresimin e rasteve të diskriminimit.