Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Ndihmës Juridike Falas, znj. Agnesa Beqiri, zyrtare e lartë për ndihmë juridike në Zyrën Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Vushtrri, ka realizuar takim me z. Agron Maxhuni, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, gjyqtarët z. Jeton Zymeri, z. Shpëtim Azemi, z. Naim Rekaliu dhe znj. Djellza Zeqiri Latifi, si dhe me stafin profesional të gjykatës.
Gjatë takimit u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, duke pasur parasysh se Zyra Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Vushtrri funksionon brenda hapësirave të gjykatës.
Po ashtu, u theksua rëndësia e promovimit të shërbimeve që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, si dhe roli i institucioneve të drejtësisë në garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas mbetet e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me gjykatat dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim afrimin e shërbimeve juridike tek qytetarët dhe garantimin e qasjes efektive në drejtësi.