Më 27 shkurt 2019, Aktiviteti i USAID-it Drejtësia Vlen në bashkëpunim me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas organizuan Punëtorinë e gjashtë për Fuqizimin Operacional të ANJF-së. E dizajnuar për të promovuar dhe fuqizuar përdorimin e praktikave më të mira për zgjidhjen e problemeve, Punëtoria Mujore për Fuqizimin Operacional ishte e gjashta në një seri të takimeve të rregullta mujore mes lidershipit të ANJF-së dhe ekspertëve të Aktivitetit Drejtësia Vlen.
Tema e këtij muaji ishte “Procedura e ofrimit të ndihmës juridike falas për rastet e dhunës në familje”. Zyrtarët rajonalë diskutuan sfidat dhe praktikat më të mira gjatë ofrimit të shërbimeve ndaj viktimave të dhunës në familje, duke u siguruar që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas përmbushë kualitetin më të lartë për shërbim të këtyre viktimave. Veç kësaj, zyrtarët rajonalë të ANJF u pajtuan njëzëri që të aplikohet praktika e përfshirjes së urdhër mbrojtjes në dosjet e dhunës në familje, për t’i ndihmuar gjykatësve në identifikimin e rasteve dhe trajtimit me prioritet.
Zyrtarët rajonalë të ANJF diskutuan heqjen e shpenzimeve procedurale për përfituesit e ndihmës juridike. Ata aplikojnë praktika të ndryshme dhe bashkërisht u pajtuan që ta unifikojnë qasjen e tyre, në mënyrë që t’i ndihmojnë përfituesit e ndihmës juridike.
Përfaqësuesit e zyrave rajonale gjithashtu prezantuan raportet mujore të zyrave të tyre duke reflektuar në sfidat dhe arritjet e muajit të kaluar. Aktiviteti Drejtësia Vlen i njoftoi zyrtarët e ANJF mbi aktivitetet vetdijësuese nëpër Kosovë, për të rritur njohuritë mbi ndihmën juridike falas.
Aktiviteti Drejtësia Vlen është projekt tre-vjeçar i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për të përmirësuar qasjen në drejtësi për të gjithë, përfshirjen e grupeve të margjinalizuara dhe në pozitë të pafavorshme përmes fuqizimit të institucioneve, aktorëve dhe proceseve për ofrimin e ndihmës juridike, shërbimeve dhe informatave.